Skip to main content

​"Po marrim para borxh", – çmimet e larta rëndojnë jetën e qytetarëve


Rritja e pandalshme e çmimeve të produkteve bazë po e thellon çdo ditë e më shumë krizën ekonomike për qytetarët e Kosovës. Të goditur me një inflacion prej 7.5 për qind që rëndon xhepat e tyre, disa prej banorëve deklarohen se e kanë të pamundur të mbyllin muajin pa u futur në borxhe, duke theksuar një mungesë të plotë të kontrollit të tregut nga ana e institucioneve shtetërore.

Qytetarët ankohen se mes pagave të vogla dhe çmimeve të larta, ata mezi po ia dalin t’i për blerjet e produkteve ushqimore bazë.

Sheremeti nga Prishtina shprehet i indinjuar me këtë fakt sepse sipas tij, çmimet po rriten vazhdimisht dhe se sipas tij, shteti nuk ka fare kontrolle mbi këtë çështje.

“Jo veç këtë kohën e fundit, por për çdo ditë, thuajse në qoftë se po e shohim, minutë pas minuti çka po duan po rritin. Domethënë ky shtet kontrollë s’po ka fare, edhe atëherë këta çka po duan po bëjnë. A e din sa është e vështirë? Unë jam pensionisti. Unë e kam pensionin e vogël edhe barnat… Unë nuk po e di deri kur do të shkojë kështu çmimet duke u ngritur këtu në Kosovë”, tha Sheremeti.

Adem Baruti që është me asistencë sociale, jetën e përditshme po e vlerëson si mjaftë të vështirë për të jetuar, e siç thotë ai, duhet të merr hua për të ia dal deri në fund të muajit.

“Vallahi hiç, kurrqysh. Shumë jetë e vështirë. Unë për veti jam në asistencë sociale. Me 110 euro ndihmë, për 20 ditë ato s’dalin as barna, ujë e rrymë me pagua, po kështu, s’ke çka me bë….Po duhet me shkua me marrë në hua diku tjetër, për me krye muajin. Se s’po ka, pa punë”, tha Baruti.

Edhe Erdem Guler potencon se të ardhurat aktuale nuk mund të ia mbulojnë as shpenzimet për barna.

“Se me 250 euro për barna s’po më dalin. Inshallah bëhet mirë,.. Vallahi bilahi s’po mundem. 300 euro qira, rryma, uji, bërlloku… “, tha Guler.

Qytetari tjetër, Mehmet Bllaca thekson se krahas rritjes së buxhetit të shtetit në 4 miliardë euro, është e nevojshme, sipas tij, edhe rritja e pensionave në vend.

“Këta s’po ankohen hiç, po thonë i kemi bërë 4 miliardë buxhetin. A po e sheh qysh rrejnë? Kur e ka marrë e ka marrë me 2 miliardë e 800. 20 centë ka qenë buka atëherë, sa është tash një bukë? Çfarë rritje buxheti është ajo? Le të rrejnë pak më kryet. Kush din pak llogari… liria është mbi gjithçka. Po këtu te ne populli janë mësuar, s’duan punë, duan me i rrejtë… Qysh ti thua është 20 centë buka e unë them po rren ai? S’ka ngritje as të pensionit. 150 euro i marr pension, as për ilaçe“, shtoi Bllaca.

Qytetarët në vazhdimësi kanë pakënaqësi për rritjen e cmimeve dhe potencojnë faktin se e kanë të vështirë të ia dalin deri në fund të muajit.

Krahas rritjes së çmimeve në tregun e Kosovës, dhe mbikqyrjes së tregut për dyshimet që kanë konsumtaorët në manipulimin e çmimeve nga tregtarët – nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) bënë të ditur se shkalla vjetore e inflacionit në muajin prill 2026 ka arritur në 7.5 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa inflacioni mujor ishte 1.1 për qind.

Rritja më e madhe e çmimeve në baza vjetore është regjistruar te grupi i transportit me 16.1 për qind, pasuar nga strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët tjera djegëse me 15.2 për qind.

Po ashtu, ngritje e çmimeve është vërejtur edhe te restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 5.8 për qind, ushqimi me 5.6 për qind dhe duhani 5.1 për qind.

ASK-ja njofton se çmimet janë rritur edhe në sektorët e shëndetësisë me 4.7 për qind, kujdesit personal dhe shërbimeve të ndryshme me 3.6 për qind, si dhe veshjeve dhe këpucëve me 2.3 për qind.

Të premten, Qeveria në detyrë ka miratuar një pako të re për përballje me inflacionin, të cilën e ka quajtur “Inflacioni 2.0”, e cila ka ndarë nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, sektorin jopublik dhe për studentët. Kjo mbështetje nga analistë të ekonomisë dhe parti opozitare deri më tani e kanë quajtur si ‘lëmosh” dhe në prag të zgjedhjeve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Popular posts from this blog

E trishtë: Vdes njëri nga të lënduarit në aksidentin e trafikut në rrugën Gjakovë-Klinë

Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në rrugën magjistrale Gjakovë – Klinë, ku njëri nga tre të lënduarit ka ndërruar jetë. Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, e cila ka bërë të ditur se viktima është një 47-vjeçar. Në aksident kanë qenë të përfshirë një veturë dhe një kamion. “Në këtë aksident janë përfshirë një veturë dhe një kamion, ku si pasojë tre persona deri më tani kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa rreth orës 18:30 jemi njoftuar që njëri prej të lënduarve, mashkull i moshës madhore 47 vjeç, si pasojë e lëndimeve nga ky aksident ka ndërruar jetë. Njësia Rajonale e Trafikut Rajonal ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për trajtimin e rastit”, tha ajo. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit! /GazetaSinjali/

Tensione mbi Egje, 4 avionë luftarakë turq shkelin hapësirën dhe përplasen me ata grekë

Një përplasje në ajër midis avionëve luftarakë grekë dhe atyre turq F-16 të armatosur mbi në detin Egje, ndodhi sot (25 maj”, duke rritur tensionet në gadishullin ballkanik. Pas shumë muajsh, pilotët e avionëve turq që shkelën hapësirën ajrore kombëtare refuzuan të zbatonin udhëzimet dhe të ktheheshin në hapësirën ajrore turke, duke rezultuar në përfshirjen e tyre në një ‘përleshje’ virtuale me avionët grekë të gatishmërisë që “u ngritën” për t’i kapur. Sipas të dhënave nga Shtabi i Përgjithshëm i Mbrojtjes Kombëtare Helene, në FIR të Athinës, në Egjeun Verilindor dhe Juglindor, dy avionë të armatosur turq F-16 dhe dy avionë të tjerë spiunë turq CN-235 hynë pa paraqitur më parë planet e fluturimit. Përveç luftimit virtual, u regjistruan 4 shkelje të rregullave të trafikut ajror dhe 10 shkelje  të hapësirës ajrore kombëtare prej 10 miljesh detare (8 nga avionët CN-235 dhe dy nga F-16 turq).  Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit! /GazetaSinjali/

Hyn në fuqi ligji i ri për shtetësinë në Kosovë – procedura më të shpejta dhe aplikim online

Ligji i ri për Shtetësinë e Republikës së Kosovës ka hyrë sot në fuqi, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në procedurat për marrjen dhe rifitimin e shtetësisë. Sipas tij, ligji i ri synon të lehtësojë dhe modernizojë procesin e aplikimit, duke reduktuar dokumentacionin e nevojshëm dhe duke shkurtuar ndjeshëm afatet e shqyrtimit të kërkesave. Një nga ndryshimet kryesore është rifitimi i shtetësisë për qytetarët që janë detyruar të heqin dorë nga ajo për arsye objektive. Tashmë, nga dokumentet e kërkuara më parë, mjaftojnë vetëm kërkesa e plotësuar dhe dëshmia se aplikuesi nuk është i dënuar me vendim të formës së prerë në shtetin ku jeton. Po ashtu, aplikimi për shtetësi mund të bëhet edhe online përmes platformës e-Kosova, ndërsa afati i shqyrtimit është ulur nga 6 muaj në vetëm 30 ditë. Ligji është miratuar më 23 prill 2026 në Kuvendin e Kosovës dhe konsiderohet si një nga reformat më të rëndësishme në këtë fushë për diasporën. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit! /GazetaSin...