Ekskluzive | U nervozuan për gjobën, dy vëllezër përfundojnë në Polici pasi kanosën zyrtarët policorë në Lipjan

Një shqiptim i zakonshëm i një tikete trafiku ka eskaluar në incident me Policinë në Lipjan, ku dy vëllezër kanë përfunduar në stacion policor nën dyshimet për kanosje ndaj zyrtarëve policorë, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur më 23 maj në rrugën “Haradin Bajrami”, derisa njësia policore ishte duke shqiptuar një gjobë për kundërvajtje.
Sipas burimeve, gjatë procedurës zyrtare, Muhamet Behluli dhe vëllai i tij Burim Behluli kanë penguar zyrtarët policorë, ndërsa njëri prej tyre dyshohet se i ka kanosur policët për shkak të tiketës së shqiptuar.
Të dy janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Rasti është trajtuar edhe nga njësia rajonale e hetimeve, ndërsa me konsultim të Prokurorit kujdestar është iniciuar vepra penale “Kanosje”.
Të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!