
Një ndjekje policore në orët e para të mëngjesit ka përfunduar me arrestim në Prizren, pasi dy persona dyshohet se tentuan t’i iknin Policisë me veturë, ndërsa brenda automjetit u gjetën armë dhe mjete të rrezikshme, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se patrulla policore kishte hasur në një veturë të dyshimtë gjatë patrullimit në zonën e Vlashnjes dhe kishte urdhëruar ndalimin e saj.
Por shoferi nuk iu ishte bindur urdhrave të Policisë dhe kishte shtuar shpejtësinë, duke tentuar të largohej nga vendi i ngjarjes.
Pas një ndjekjeje, Policia ka arritur ta ndalojë veturën në fshatin Vlashnje.
Sipas burimeve, në automjet ndodheshin dy persona, ndërsa gjatë kontrollit janë gjetur një pushkë gjuetie, tre thika dhe katër fishekë.
Njëri nga të dyshuarit ka pranuar se arma ndodhej në veturë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Gjueti e kundërligjshme”.
Njëri nga të dyshuarit është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!